Letër, drejtuar gjithë KM, antarëve të Shoqatës së Kontabilistëve dhe Financierëve të Shqipërisë,
I/E nderuar Zoti/Zonja, anëtar i SHKFSH,
Sikurse e keni ndjekur nga media dhe nga informacioni që ka bërë publik Shoqata e Kontabilistëve dhe Financierëve të Shqipërisë (SHKFSH) ne faqen e saj elektronike, apo nga diskutimet dhe debatet që ka bërë SHKFSH me antarët në kurset e trajnimit, në ligjin 10091 "Për Auditimin Ligjor, organizimin e profesionit të audituesit ligjor dhe të kontabilistit të miratuar", janë bërë disa ndryshime. Ndryshimet, përveç të tjerash, saktësojnë kuadrin rregullator të ushtrimit të profesionit të kontabilistit të miratuar, që është subjekt i shoqatës sonë.
Në zbatim të këtyre ndryshimeve, Bordi i Mbikqyrjes Publike, që është një organ shtetëror, mbikqyrës, për këto profesione, ka nxjerrë në datën 27 shkurt 2019, rregulloren numër 9, me të cilën saktëson rregullimin dhe mbikqyrjen e veprimtarisë së shoqatave të kontabilistëve dhe të profesionit të kontabilistit të miratuar. (bashkangjitur dok. nr. 1, kliko ketu)
Sipas kësaj rregullore, Bordi i Mbikqyrjes Publike, ngarkohet që të verifikojë përputhshmërinë ligjore të veprimtarisë së Kontabilistit të Miratuar Aktiv. Procesi kërkon verifikimin e kryerjes së kualifikimit të vijueshëm vjetor që është i detyrueshëm, marrëdhëniet e punës së KM, si dhe verifikimin e statusit gjyqësor dhe penal të KM. Për këto arsye, ju njoftojmë që të përgatisni një dosje, me dokumentat e mëposhtëme:
A. Vetëm subjektet Kontabël i Miratuar Aktiv
1. Vërtetim të gjëndjes gjyqësore të Kontabilistit të miratuar, që konsiston në dy vërtetime:
i. Vërtetim nga Gjykata që subjekti nuk ndodhet në proces gjyqësor
ii. Vërtetim nga Prokuroria që subjekti nuk ndodhet në ndjekje
2. Dëshmi penaliteti,
3. Certifikata e Gradës Profesionale KM,
4. Numri i Identifikimit të Personit Tatimor (Certifikata NIPT), për KM që janë duke e ushtruar në mënyrë aktive profesionin,
5. Vërtetim nga SHKFSH për (këtë vërtetim e harton vet SHKFSH dhe ia bashkangjit dosjes tuaj, pra ju nuk do të dorëzoni dokument në lidhje me këtë kërkesë) :
a. Rezultatet e kontrollit të cilësisë, (Në rastet kur janë kryer kontrolle),
b. Masat disiplinore (në rastet kur janë marrë masa disiplinore nga SHKFSH),
6. Kryerjen e kurseve të kualifikimit të vazhduar, (shiko shpjegimet më poshtë në lidhje me dorëzimin e dokumentaconit)
7. Vërtetimin nga sigurimet shoqërore për marrëdheniet e punës për pesë vitet e fundit.
8. Dokumentin që tregon se janë paguar kuotat e antarësisë në SHKFSH, për të paktën 3 vitet e fundit.
B. Vetëm subjektet Kontabël i Miratuar Jo Aktiv
Të gjithë KM Jo Aktiv, në kuadër të rifreskimit të dosjeve të tyre, duhet të depozitojnë elektronikisht sipas specifikimeve të mëposhtme, dosjen e tyre pranë SHKFSH-së.
Dokumentat që duhet të ngarkojë KM Jo Aktiv janë:
1. Certifikata e Gradës Profesionale KM,
2. Kryerjen e kurseve të kualifikimit të vazhduar, (shiko shpjegimet, Rublika “E Rëndësishme” më poshtë në lidhje me dorëzimin e dokumentaconit)
3. Dokumentin që tregon se janë paguar kuotat e antarësisë në SHKFSH, për të paktën 3 vitet e fundit.
Dosja e plotë për të dy kategoritë do të depozitohet në formë elektronike me dokumenta të skanuar, prane SHKFSH-së. Këto dokumenta duhet të depozitohen pranë SHKFSH brënda datës 15 prill 2019. Dosjet e çdo KM Aktiv do ti vihen në dispozicion për verifikim Bordit të mbikqyrjes Publike. Mbas këtij verifikimi, çdo Kontabilist i miratuar Aktiv, do konfirmohet si i tillë dhe do të paiset me një kartë personale profesionale, me të cilën konfirmon njohjen publike të gradës profesionale të fituar dhe të drejtën e ushtrimit të tij.
Në lidhje me dorëzimin e dokumentacionit:
1. Cdo anëtar i SHKFSH do të gjejë në faqen e internetit të SHKFSH, në linkun: http://shkfsh.org/portali-elektronik/formular-per-aktualizimin-e-te-dhenave-te-anetaresise-fada-sipas-bmp
formularin e dorëzimit të dokumentacionit, në të cilin ju mund të ngarkoni të gjitha dokumentat e kërkuar më lart.
2. Në lidhje me Kryerjen e kurseve të kualifikimit të vazhduar, rregullorja jep mundësinë që cdo mbajtës i titullit KM Aktiv ose KM Jo Aktiv, të kryejë trajnimin e vazhduar për vitin 2019, brenda gjashtë muajve. Ndërsa cdo certifikatë tjetër trajnimi të vazhduar të pesë viteve të fundit duhet ti ngarkoni në formularin e aplikimit.
3. Nënvizojmë se cdo paraqitje jo e saktë apo jo e vërtetë e dokumentacionit, ngarkon me përgjegjësi deklaruesin e saj.
4. Pagesat e anaterësimit në Shoqatë mund të kryhen pranë Bankës Raiffeisen me të dhënat e mëposhtme:
Raiffeisen Bank
Emri llogarisë: Shoqata e Kontabilistëve dhe Financierëve të Shqipërisë
Nr.llogarisë: 0101002509
IBAN: AL02202110130000000101002509
Përshkrimi: Kuotë anëtarësimi për Mbajtësit e titullit KM për vitin ________, Emër Mbiemër
Lutemi, vlerësojeni shumë seriozisht këtë njoftim. Çdo neglizhencë apo mos reagim ju rezikon të drejtën e ushtrimit të profesionit. Shoqata e Kontabilistëve dhe e Financierëve të Shqipërisë ka detyrimin që tju vëjë në dijeni për një proces të tillë. Çdo pasojë është vetëm përgjegjësia e juaj.
Jeni të autorizuar që këtë njoftim tua bëni të ditur edhe atyre profesionisëve, mbajtës të gradës KM që janë anëtarë të SHKFSH dhe që mund të kenë ndryshuar adresat elektronike, numrat e telefonit apo vendin e punës gjatë viteve të fundit.
E rëndësishme!
Të gjithë Kontabilistët e Miratuar (Aktivë dhe Jo Aktivë), sipas ligjit 10 091 dhe rregullores se Bordit nr. 9 dt .27.02.2019 janë të detyruar që të jenë të trajnuar minimalisht 40 orë në vit.
Për të gjithë profesionistët, mbajtës te gradës KM, do iu jepet mundësia që të kryejnë trajnimin e vazhduar per vitin 2019 gjatë gjashtë muajve në vijim.
Në komunikimet e vijueshme do të merrni informacionin për programin, kalendarin, vendin dhe kërkesat e tjera lidhur me tajnimin.
Në zyrat e SHKFSH, do të ketë shërbim 12 orë, paradite dhe mbasdite për tiu përgjigjur kërkesave dhe interesave të antarësisë suaj.
Ne ju falenderojmë që nëse kjo letër i mbërrin një profesionisti që nuk është anëtar i SHKFSH-së, ta konsiderojë si informacion por jo shkelje të rregullave të etikës.
Për Shoqatën e Kontabilistëve dhe Financierëve të Shqipërisë
Sherif BUNDO, Kryetar
Sokol HAJRO, Drejtor Ekzekutiv
Tiranë më 21 Mars 2019