Qeveria paguan 15 % taksen e sigurimeve shoqerore, pjesen e punedhenesit dhe 1.7% pjesen e punedhenesit te sigurimeve shendetesore. Kjo e fundit nuk eshte më 1.7 %, sepse eshte bere 3 %.

Kushti i VKM eshte pak i diskutueshem: mund te merrni ne pune nje punetor te ri dhe te perfitoni prej kesaj taksat e mesiperme per tre vjet, por ju duhet ta mbani ne pune kete punetor te ri EDHE TRE VJET TE TJERA.

Shikoni me vemendje kushtet e VKM ne vijim:

 

V E N D I M PËR PROGRAMIN E NXITJES SË PUNËSIMIT TË PUNËKËRKUESVE   TË PAPUNË TË RINJ

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 3, të nenit 8, të    ligjit nr.7995, datë 20.9.1995, “Për nxitjen e punësimit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1.    Punëdhënësit në sektorin privat, të cilët punësojnë të rinj nga mosha   16 - 30 vjeç, që  kanë përfunduar arsimin e lartë, arsimin e mesëm të përgjithshëm e profesional dhe kurse të formimit profesional, mund të përfitojnë një financim mujor për tre vjet, në masën 100 për qind të sigurimeve të detyrueshme, shoqërore dhe shëndetësore, të pjesës së kontributit të punëdhënësit, me kusht që në kontratën  e punës të jetë tre vjet kohëzgjatja e programit dhe tre vjet të tjerë pa shkëputje pas përfundimit të programit.

Punëdhënësit mund të punësojnë nëpërmjet këtij programi deri në 50% të numrit mesatar të të siguruarve të deklaruar në 3 (tre) muajt e fundit.

2.    Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit Kombëtar të Punësimit, drejtoritë rajonale të Shërbimit Kombëtar të Punësimit dhe zyrat vendore të punësimit bëjnë njoftimin në Buletinin e Njoftimeve Publike, çdo vit, për fondin e vënë në dispozicion dhe kriteret e përfitimit nga ky program.

3.    Punëdhënësi, që aplikon për programin e punësimit, nuk duhet të ketë shkelur në të kaluarën legjislacionin e punës, konstatuar nga Inspektorati i Punës dhe nga  administrata tatimore, si dhe duhet të ketë derdhur, rregullisht detyrimet tatimore e kontributet për sigurimet e detyrueshme, shoqërore dhe shëndetësore, veçanërisht për vitin e fundit.

4.    Punëdhënësit, për përfitimin e sipërpërmendur, aplikojnë pranë zyrave përkatëse të punësimit duke paraqitur dokumentet e mëposhtme:

a) Vendimin e gjykatës për regjistrimin si person juridik ose vendimin e Qendrës Kombëtare të Regjistrimit;

b)   Numrin e identifikimit të personit të tatueshëm (NIPT-in);

c)  Vërtetimin për shlyerjen e kontributeve për sigurimet e detyrueshme, shoqërore dhe shëndetësore, që lëshohen nga organet e sigurimeve shoqërore, për aq kohë sa ushtron veprimtarinë, por jo më gjatë se për një periudhë kohore njëvjeçare, nga çasti i aplikimit;

ç)   Numrin e llogarisë bankare;

d)   Vërtetimin nga dega e tatim - taksave, ku personi juridik ushtron veprimtarinë, për shlyerjen e detyrimeve tatimore për aq kohë sa kryen veprimtarinë, por jo më gjatë se për një periudhë kohore njëvjeçare, nga çasti i aplikimit;

dh)   Informacion për:

i. numrin e fuqisë punëtore;

ii. listën emërore të të siguruarve;

iii. llojin e veprimtarisë, që kryen;

iv. nivelin e pagës së dhënë për çdo person;

v. planbiznesin për shtimin e fuqisë punëtore;

vi. kopje të akteve të inspektimeve për vitin e fundit.

5.    Punëdhënësi, në bashkëpunim me zyrën përkatëse të punësimit dhe në mbështetje të të dhënave e të dokumentacionit, të përcaktuar në pikën 4, të këtij vendimi, plotëson formularin përkatës, sipas modelit të miratuar nga Shërbimi Kombëtar i Punësimit.

6.    Inspektorati Rajonal i Punës dhe Shërbimeve Shoqërore bën verifikimin e dokumentacionit të paraqitur nga subjekti sipas kërkesave të përcaktuara në shkronjën “dh”, të pikës 4, të këtij vendimi, dhe shprehet, brenda           10 (dhjetë) ditëve kalendarike për vërtetësinë dhe korrektësinë e këtij dokumentacioni.

7.    Zyra përkatëse e punësimit ia paraqet këshillit vendor tripalësh, të ngritur pranë saj, projektet që kërkohen të zbatohen aty ku ajo ushtron veprimtarinë, këshill i cili, pasi shqyrton dhe vlerëson dobinë               social - ekonomike të projekteve të paraqitura, i miraton ato në parim.

8.    Pas miratimit, në parim, të projekteve në këshillin vendor tripalësh, zyra përkatëse e punësimit і dërgon, për miratim, si më poshtë vijon:

a)  Zyra vendore e punësimit, sipas rastit, ia dërgon Zyrës Rajonale të Punësimit ose Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimit Kombëtar të Punësimit.

b) Zyra Rajonale e Punësimit miraton projektet, kur numri і të punësuarve dhe atyre, që kërkohen për t’u punësuar nga punëdhënësi, është jo më shumë se 50 (pesëdhjetë) persona.

c) Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit Kombëtar të Punësimit miraton projektet kur numri і të punësuarve dhe atyre, që kërkohen për t’u punësuar nga punëdhënësi, është më shumë se 50 (pesëdhjetë) persona.

9.    Për zbatimin e pikës 8, të këtij vendimi, në zyrat rajonale të punësimit dhe në Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimit Kombëtar të Punësimit ngrihen komisionet e miratimit të projekteve, me jo më pak se 5 (pesë) persona.

10. Mënyra e organizimit dhe e funksionimit të punës, si dhe përbërja e komisioneve përcaktohen në rregulloren e miratuar nga Këshilli Administrativ Tripalësh i Shërbimit Kombëtar të Punësimit.

11. Komisioni і miratimit të projekteve në zyrën rajonale të punësimit, brenda 20 (njëzet) ditëve kalendarike nga data e paraqitjes së kërkesës për aplikim nga punëdhënësi, vendos miratimin ose jo të projektit. Komisioni і miratimit të projekteve në Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimit Kombëtar të Punësimit vendos miratimin ose jo të projektit, brenda         30 (tridhjetë) ditëve kalendarike nga data e paraqitjes së kërkesës për aplikim nga punëdhënësi.

12. Zyra  e  punësimit vë  në  dispozicion të  punëdhënësve  listën e punëkërkuesve të papunë që plotësojnë kriteret për të përfituar nga ky program. Punëdhënësi përzgjedh kandidatin më të përshtatshëm.

13. Punëkërkuesit e papunë, që kundërshtojnë  të  marrin  pjesë  në  këtë program, hiqen nga lista e punëkërkuesve të papunë.

14. Ndërmjet zyrave përkatëse të punësimit dhe punëdhënësit nënshkruhet një kontratë, ku përcaktohen të drejtat dhe detyrimet, në përputhje me programin për secilën palë. Kontratat lidhen vetëm për vitin buxhetor, për të cilin është miratuar projekti.

15. Për vazhdimin e projektit në vitin pasardhës do të lidhet një kontratë shtesë, në përputhje me fondet e miratuara atë vit.

16. Punëdhënësi dhe punëkërkuesi, si punëmarrës, nënshkruajnë një kontratë individuale pune, në të cilën përcaktohen të drejtat dhe detyrimet e palëve, sipas përcaktimeve të bëra në Kodin e Punës dhe në këtë vendim.

17. Kontratat tip, sipas përcaktimeve të dhëna në pikat 14 e 16, të këtij vendimi, hartohen nga Shërbimi Kombëtar і Punësimit dhe janë të detyrueshme për t’u zbatuar nga zyrat përkatëse të punësimit.

18. Një kopje e kontratës së punës së çdo punëkërkuesi, punëmarrës, depozitohet në zyrën përkatëse të punësimit, e cila, në bashkëpunim me inspektoratin rajonal/vendor të punës, ndjek zbatimin e kontratës deri në përfundimin e projektit.

19. Në rastet kur punëkërkuesi, si punëmarrës, pjesëmarrës në këtë program, largohet përpara afatit të përcaktuar në kontratë brenda gjysmës së vitit të parë të zbatimit të kontratës sipas pikës 16, për shkaqe të arsyeshme, zëvendësimi bëhet nga zyra përkatëse e punësimit, pas njoftimit nga punëdhënësi dhe vlerësimit të Inspektoratit të Punës për shkaqet e zgjidhjes së kontratës.

20. Punëdhënësi, i cili ndërpret marrëdhëniet e punësimit, pa shkaqe të arsyeshme për periudhën mbas përfundimit të subvencionimit (3-vjeçari i dytë), detyrohet të kthejë subvencionin e marrë për këtë person për periudhën e paplotësuar sipas kontratës.

21.  Financimi  sipas  pikës  1  ndërpritet  në  rastin  kur  punëdhënësi, pas përfitimit të financimit, në zbatim të këtij vendimi, zgjidh, pa shkaqe të arsyeshme, kontratat e punës së punëmarrësve të tjerë, të punësuar pranë tij, të vërtetuar nga Inspektorati Shtetëror i Punës dhe Shërbimeve Sociale.

22. Shërbimi Kombëtar i Punësimit, Inspektorati Shtetëror i Punës dhe Shërbimeve Sociale, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dhe Instituti i Sigurimeve Shoqërore nënshkruajnë një marrëveshje bashkëpunimi për zbatimin e detyrimeve që rrjedhin nga ky vendim.

23. Shërbimi Kombëtar i Punësimit monitoron ecurinë e programit dhe përgatit raporte vjetore, brenda datës 31 mars të vitit pasardhës, të cilat ia paraqet Ministrisë së Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta dhe Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës.

24. Programi i punësimit të fillojë të zbatohet në vitin 2013 dhe kohëzgjatja e tij të jetë 6 (gjashtë) vjet.

25. Shërbimi Kombëtar i Punësimit ruan dokumentacionin për programin e punësimit deri në 10 (dhjetë) vjet, pas dhënies së fundit të ndihmës individuale.

26. Programi vlerësohet nga ekspertë ose organizata të pavarura, që kanë përvojë në këtë fushë dhe njohuri për tregun e punës.

27. Fondet për zbatimin e këtij programi përballohen nga buxheti i Ministrisë së Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta.

28. Ngarkohen  Ministria e Punës, Çështjeve  Sociale dhe  Shanseve të Barabarta dhe Ministria e Financave për nxjerrjen e udhëzimeve për zbatimin dhe mbikëqyrjen e programit dhe Shërbimi Kombëtar i Punësimit për zbatimin e programit, nëpërmjet zyrave të punësimit.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

SALI BERISHA

 

Na kontaktoni

Adresa: Blv. Bajram Curri, Pallati mbrapa shkollës së Baletit , Kati i dytë,
Tiranë, Shqipëri
Orari: Hënë - Premte: 14:00 - 20:30 &
Shtunë: 14:00 - 18:00
Tel/Fax: +355 4 222 7 555
Mob: +355 67 249 9070
Mail[email protected]
Web: www.shkfsh.org

Lidhuni me ne

© 1998-2021 | SHKFSH - Shoqata e Kontabilistëve dhe Financierëve të Shqipërisë