Kongresi i tretë i SHKFSH, mbledhur sot më datë 15 Nëntor 2014, diskutoi mbi temën: “Për një përgjegjësi dhe rol më të madh në ekonomi të profesionistit kontabël”, me pjesëmarrjen e delegatëve të zgjedhur nga Konferencat e 33 degëve dhe seksioneve, të cilët përfaqësojnë një antarësi gjithsej prej 4110 anëtarë në të gjithë vendin, konkludon:


1. Shprehet një zëri dakord me nevojën e rregullimit më të plotë ligjor të shërbimeve kontabël. Në ligjin aktual “Për auditimin ligjor dhe profesionin kontabël” duhet të gjejë vend statusi dhe shërbimet e profesionit të kontabilistit të çdo niveli. Shoqata e Kontabilistëve dhe Financierëve të Shqipërisë, si organizata më e madhe profesionale në vënd, duhet të marrë më shumë përgjegjësi dhe të luajë rol më aktiv për rregullimin e profesionit të kontabilistit dhe të financierit.

2. Kongresi mbështet dhe inkurajon kërkesën profesionale të antarësisë dhe institucionale lidhur me deformimin e tregut të shërbimeve të kontabilitetit si dhe me ndërhyrjen në të të profësionistëve të paautorizuar, apo të profesionistëve të punësuar në administratën publike, që ligjet e veçanta e konsiderojnë dhe cilësojnë si papajtueshmëri me statusin e tyre. Kongresi kërkon që tëmos lejohet qe tatimorët apo punonjës të tjerë të administratës të ofrojnë shërbime të kontabilitetit.

3. Ju bëhet thirrje gjithë profesionistëve të fushës që të respektojnë rregullat e Kodit të Etikës në shërbimet e kontabilitetit, të sektorit privat dhe publik. Shoqata e kontabilistëve dhe financierëve të Shqipërisë ngre dhe kërkon mirëfunksionimin e Komisionit të disiplinës dhe të Etikës për të gjithë antarësinë që shkel rregullat bazë të etikës së shërbimit në profesion.

4. Kongresi zgjodhi organet drejtuese qëndrore të SHKFSH, Këshillin e Përgjithshëm (me 50 veta), Komitetin e Kontrollit të Cilësisë, dhe Kryetarin e SHKFSH, të gjithë me mandat 4 vjeçar dhe ju kërkon atyre që të instalojnë komunikim të vazhdueshëm me strukturat shtetërore të fushës së kontabilitetit, fiskaliteteve, organeve licensusese dhe rregullatore, kërkon përfaqësim dinjitoz, bashkërendim dhe bashkëpunim me organizatat homologe.

5. Kongresi kërkon ofrimin e shërbimeve prej shoqatës sa më afër anëtarësisë, në mënyrë të vazhduar, dhe që garanton përfitimin e tyre prej gjithë anëtarësisë, në mënyrë të harmonizuar me nivelet e ndryshimeve të regjistrit dhe të karrierës profesionale. Tarifimi i shërbimeve të jetë dukshëm i diferencuar për anëtarët dhe për profesionistët jo anëtarë të Shoqatës së Kontabilistëve dhe Financierëve të Shqipërisë (SHKFSH).

6. Kongresi inkurajon harmonizimin dhe lidhjet midis brezave të profesionistëve dhe të interesave të tyre. Për këtë kërkon të instalohet një informim transparent lidhur me mundësitë e punësimit të të rinjve dhe marrjes në patronazh të tyre për praktika mësimore, në radhë të parë prej studiove apo zyrave të anëtarëve të SHKFSH si dhe të ndërmarrjeve publike apo private që shërbehen nga anëtarët tanë.

7. Kongresi i tretë kërkon të nxisë bashkëpunimin e shoqatës, të komisioneve, komitetit të kualifikimit dhe trajnimit, si dhe të degëve apo seksioneve të saj me shkollat e larta publike dhe private, dhe veçanërisht me departamentet e Kontabilitetit dhe Financës pranë tyre, duke mundësuar përfshirjen e tyre në strukturat e Shoqatës dhe organizimin e aktiviteteve dhe të këmbimeve reciproke dhe të vazhdueshme.

8. Kongresi i kërkon strukturave drejtuese të zgjedhura të Shoqatës që të nënshkruajnë marrëveshje bashkëpunimi me organe dhe organizata qëndrore brënda vendit, si dhe me struktura paralele në vendet e Rajonit dhe në Bashkimin Europian. Kongresi kërkon gjithashtu sensibilizimin e opinionit publik mbi veprimtarinë e SHKFSH brënda vëndit, si dhe inkurajon gjithë përpjekjet për anëtarësimet e saj në format profesionale Mesdhetare, ndërkombëtare dhe nënëshkrimin e marrëveshjeve bilaterale me federatat dhe konfederatat e kontabilistëve, në përputhje me interesat dhe përfitimin reciprok.

Rezoluta u votua dhe u miratua njëzëri nga 248 delegatët e pranishëm në Kongresin e tretë të SHKFSH.

Tiranë, 15 Nëntor 2014

Na kontaktoni

Adresa: Blv. Bajram Curri, Pallati mbrapa shkollës së Baletit , Kati i dytë,
Tiranë, Shqipëri
Orari: Hënë - Premte: 14:00 - 20:30 &
Shtunë: 14:00 - 18:00
Tel/Fax: +355 4 222 7 555
Mob: +355 67 249 9070
Mail[email protected]
Web: www.shkfsh.org

Lidhuni me ne

© 1998-2021 | SHKFSH - Shoqata e Kontabilistëve dhe Financierëve të Shqipërisë