Duke konsideruar impaktin e madh që tatimi mbi të ardhurat për profesionet e lira ka mbi anëtarësinë tonë, dëshirojmë t’ju komunikojmë se më 27 qershor 2024, Gjykata Kushtetuese njoftoi se, pas marrjes në shqyrtim të çështjes për shfuqizimin e disa dispozitave të Ligjit nr. 29/2023 “Për tatimin mbi të ardhurat” dhe të nenit 4 të VKM-së nr. 753/2023, vendosi pranimin e pjesshëm të kërkesë-padisë dhe shfuqizimin e nenit 69, pika 1, germa ‘dh’, fjalia e dytë dhe e tretë, të Ligjit nr. 29/2023 “Për tatimin mbi të ardhurat”, dhe të nenit 4 të VKM-së nr. 753/2023 “Për dispozitat zbatuese të Ligjit nr. 29/2023, “Për tatimin mbi të ardhurat”. Vendimi përfundimtar pritet të shpallet i arsyetuar nga Gjykata Kushtetuese në vijim.

Shfuqizimi pjesor i nenit 69, pika 1, germa ‘dh’, do të thotë se të vetëpunësuarit, si dhe entitetet të cilët ofrojnë dhe furnizojnë shërbime profesionale dhe kanë të ardhura bruto deri në 14 milionë lekë në vit, norma e tatimit mbi të ardhurat 0% do të aplikohet deri më 31 dhjetor 2029. Të vetëpunësuarit, si dhe entitetet të cilët furnizojnë shërbime profesionale dhe kanë të ardhura bruto mbi 14 milionë lekë në vit nuk përfitojnë nga kjo lehtësi fiskale, por do të tatohen si vijon:

a) Të vetëpunësuarit me të ardhura neto (fitim të tatueshëm) nga zero deri në 14 milionë lekë me normën 15% dhe me të ardhura neto (fitim të tatueshëm) mbi 14 milionë lekë me normën 23%.

b) Entitet me normën 15%.

Duke filluar nga 1 janari 2030, të vetëpunësuarit, pavarësisht nivelit të të ardhurave bruto në një vit, do të tatohen sipas skemës progresive 15%/23% (si ilustrohet në pikën ‘a’ më lart), ndërsa entitet me normën 15%.

Sjellim në vëmendje se nuk ka patur ndryshime në lidhje me të vetëpunësuarit që 80% ose më shumë e të ardhurave të fituara i realizojnë nga një klient i vetëm, ose 90% a më shumë e të ardhurave totale i realizojnë nga më pak se 3 klientë. Të vetëpunësuarit që janë në këto kushte do të konsiderohen se po realizojnë të ardhura nga punësimi dhe do të vijojnë të tatohen si të ardhura nga punësimi me skemën progresive sipas nenit 24, pika 1 të Ligjit 29/2023 (zero-2,040,000 lekë me 13% dhe mbi 2,040,000 lekë me 23%).

Shprehim përkushtimin tonë dhe mbetemi në dispozicion për të adresuar shqetësimet tuaja në lidhje me implementimin e këtij ligji apo edhe ligjeve të tjera që prekin profesionin tonë.

 

Na kontaktoni

Adresa: Blv. Bajram Curri, Pallati mbrapa shkollës së Baletit , Kati i dytë,
Tiranë, Shqipëri
Orari: Hënë - Premte: 14:00 - 20:30 &
Shtunë: 14:00 - 18:00
Tel/Fax: +355 4 222 7 555
Mob: +355 67 249 9070
Mail[email protected]
Web: www.shkfsh.org

Lidhuni me ne

© 1998-2021 | SHKFSH - Shoqata e Kontabilistëve dhe Financierëve të Shqipërisë